Emigracion: Karta e Gjelbër dyvjeçare duhet të kthehet në e përhershme

Admin

Administrator
Staff member
Andrew-Kieran-Both.jpg
Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Erdha në Shtetet e Bashkuara si e fejuar me bashkëshortin tim. I kalova të gjitha intervistat dhe mora një kartë të gjelbër dy-vjeçare. Po mbushen thuajse dy vjet që atëherë. A do të më dërgojë emigracioni kartën e gjelbër të përhershme apo duhet të paraqes dokumenta që të mund ta marr?

EC

Staten Island, NY


Po, DUHET të paraqisni formularë shtesë. Është mirë që na keni shkruar. Do të bënit mirë të veproni shpejt përpara se të kalojë afati dy vjeçar. Aktualisht keni një kartë të gjelbër me kusht dhe afati i fundit për të bërë kërkesë për status të përhershëm është tepër strikt. Data e skadimit që keni në green card është gjithashtu dhe data e përvjetorit tuaj të dytë si rezidente me kusht. Është e nevojshme të paraqisni prova që martesa juaj është e ligjshme dhe jo thjesht për të marrë statusin e rezidentit të përhershëm në SHBA. Nëse mbushni dhe dërgoni formularin I-751 në kohë, Shërbimi i Emigracionit (USCIS) do ta shtyjë statusin tuaj të rezidentit me kusht derisa të jetë marrë një vendim për kërkesën tuaj. Do t’ju vijë një njoftim që pasqyron këtë gjë.

Një rezident i përhershëm me kusht pajiset me një green card e cila është e vlefshme për dy vjet. Në mënyrë që rezidenti në fjalë të mbetet i përhershëm, brenda 90 ditëve përpara skadimit të kartës, ai ose ajo duhet të paraqesë një peticion për të kërkuar heqjen e kushtit. Karta me kusht nuk mund të rinovohet. Kushti duhet hequr, ndryshe do ta humbisni statusin e rezidentit të përhershëm.

Për të hequr kushtin e kartës së gjelbër të marrë nëpërmjet martesës, duhet të paraqisni formularin përkatës I-751, (Petition to Remove the Conditions of Residence). Statusi i rezidentit të përhershëm jepet me kusht nëse bazohet në një martesë e cila nuk kishte mbushur ende dy vjet ditën që ju dhanë rezidencën e përhershme. Statusi është me kusht, sepse duhet të jepni prova që nuk jeni martuar për t’i bërë bisht ligjeve të emigracionit të Shteteve të Bashkuara.

Si rregull, mund të bëni kërkesë për heqjen e kushtit të rezidencës permanente nëse:

  • Edhe pas dy vjetësh, vazhdoni të jeni të martuar me të njëjtin nënshtetas amerikan apo rezident permanent. Mund të përfshini gjithashtu në aplikim dhe fëmijët në rast se atyre u është dhënë statusi i rezidentit me kusht në të njëjtën kohë ose brenda 90 ditëve si dhe ju;
  • Jeni fëmijë dhe për një arsye të caktuar nuk mund të përfshiheni në aplikimin e prindërve;
  • Jeni i ve ose e ve që u martuat ndershmërisht, jo për qëllime përfitimi;
  • U martuat pa qëllime përfitimi, por martesa përfundoi në divorc ose u anullua; ose
  • U martuat pa qëllime përfitimi, por ju ose fëmija juaj u rrah apo iu nënshtrua vuajtjes ekstreme në duart e bashkëshortit/es me nënshtetësi amerikane apo rezidencë të përhershme.
Si ju ashtu dhe bashkëshorti juaj duhet të aplikoni së bashku për heqjen e kushtit duke paraqitur formularin I-751. Nëse nuk e bëni në kohë kërkesën për heqjen e kushtit, mund të humbisni statusin e rezidentit të përhershëm dhe mund të dëboheni nga vendi. Nëse nuk e dërgoni peticionin ose e dërgoni me vonesë, automatikisht e humbisni statusin e rezidentit të përhershëm kur mbushen dy vjet që nga data kur ju dhanë këtë status me kusht. Nga ai moment bëheni të dëbueshëm nga Shtetet e Bashkuara. Nëse nuk ishte për fajin tuaj që nuk arritët të paraqisnit dokumentat në kohë, mund ta dërgoni peticionin me vonesë duke e shoqëruar me një notë shpjeguese me shkrim ku i kërkoni ndër të tjera USCIS-it t’ju falë për vonesën në dërgimin e dokumentave. Dështimi për të dërguar dokumentat në kohë mund t’ju falet nëse kur të dërgoni peticionin arrini të tregoni në mënyrë bindëse që vonesa ndodhi për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që ishin përtej kontrollit tuaj dhe që kohëzgjatja e vonesës ishte e arsyeshme.

Mund t’i kërkoni USCIS-it që t’jua falë mospërmbushjen e kërkesës për të aplikuar së bashku, nëse nuk jeni më të martuar me bashkëshortin/en, ose kur bashkëshorti/ja ose prindi nënshtetas amerikan apo rezident i përhershëm ju ka rrahur ose abuzuar. Në raste të tilla, mund të kërkoni t’jua heqin kushtin në çdo moment pasi jeni bërë rezident me kusht, por përpara se të dëboheni nga vendi. Është e nevojshme të paraqisni prova që dëbimi nga Shtetet e Bashkuara do t’ju shkaktonte vështirësi ekstreme.

Nëse jeni ende të martuar, por ligjërisht të ndarë dhe/ose me çështjen e divorcit ende pezull, keni ende mundësi të paraqitni një waiver (dokument për heqje dorë nga një kërkesë e caktuar, në këtë rast për aplikim bashkarisht). USCIS-i do t’ju kërkojë t’i dërgoni një kopje të dokumentit përfundimtar të divorcit apo të anullimit të martesës. Është gjithashtu e mundur të dërgoni formularin I-751 bashkarisht dhe më pas të paraqitni dokumentin e divorcit dhe të kërkoni që do të preferonit që peticioni i paraqitur bashkarisht të trajtohej si waiver.

Ka raste kur mund t’ju kërkohet të paraqiteni për një intervistë që të provoni që kualifikoheni për green card të përhershme. USCIS-i ka nxjerrë një direktivë të re lidhur me rastet se kur mund të hiqet dorë nga kërkesa për të intervistuar personat që kanë paraqitur peticion për heqje të kushtit. Nëse peticioni është i dokumentuar mirë dhe nuk ka faktorë të tjerë të pafavorshëm, çështja mund të aprovohet pa intervistë.

Kur aplikimi për heqjen e kushtit nuk aprovohet, do të merrni një letër ku do t’ju shpjegohet arsyeja pse nuk është aprovuar. Proçesi për dëbimin nga vendi fillon që në momentin e mosaprovimit të aplikimit. Ju jepet gjithashtu mundësia që vendimin për mosaprovimin e çështjes ta rishikojë një gjykatës i emigracionit gjatë periudhës që jeni në proçes për largimin nga vendi. Nëse gjykatësi vendos që duhet të largoheni, atëherë keni 30 ditë në dispozicion për të bërë kërkesë për apel. Ka një mori çështjesh që lidhen me rastet e martesave dhe green card-at, me të cilat do të merremi në shkrimet e ardhshme. Ju bëjmë thirrje të konsultoheni me një ekspert në fushën e emigracionit lidhur me situatën tuaj konkrete. Mund të gjeni gjithashtu informacion shtesë në faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet e vazhdueshme dhe në të ardhmen do të përpiqemi t’i përgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike kieranboth@verizon.net
 
Top